Ndahet nga jeta në moshën 91 vjeçare Ismet Bellova

Gazetaria sportive shqiptare humbi një nga figurat e saj më madhore. Mbrëmjen e djeshme (20 dhjetor) u shua në moshën 91 vjeçare  Ismet Bellova, legjenda e mikrofonit, gazetari, komentatori, zëri i të cilit u bë pjesë e pandashme e historisë së sportit dhe medias shqiptare.

Me largimin e Ismet Bellovës, gazetaria sportive shqiptare humbi jo vetëm një profesionist të jashtëzakonshëm, por një pasuri kombëtare, një vlerë të rrallë radiofonike dhe një shkollë të vërtetë të gazetarisë sportive, nga e cila u formuan e u frymëzuan breza të tërë.

Për kontributet e tij në arsim dhe sport ai është vlerësuar me titujt “Mësues i Popullit”, “Nderi i Sportit Shqiptar”, “Urdhri Olimpik”, Urdhri i Artë “Naim Frashëri”, Urdhri “Naim Frashëri” i Klasit të Parë, Urdhri i Punës i Klasit të Parë, si dhe disa çmime e tituj nderi, deri te “Mirënjohja e Tiranës”. Ismet Bellova do të mbetet përjetësisht zëri që edukoi, frymëzoi dhe bashkoi breza të tërë shqiptarësh.

sfidanti.al