Bayern Mynih, Kane lartëson 17-vjeçarin Lenny Karl

Harry Kane ka shprehur vlerësim maksimal për talentin e ri të Bayern-it të Mynihut, Lenny Karl, duke theksuar rolin gjithnjë e më të rëndësishëm që 17-vjeçari po luan në ekuilibrat e skuadrës bavareze. I intervistuar nga kanalet zyrtare të Bundesligës, sulmuesi anglez nuk i kurseu fjalët pozitive për shokun e ri të ekipit. “Lenny ka qenë fantastik deri tani. Ka cilësi të jashtëzakonshme, sidomos në hapësira të ngushta, dhe kontributi i tij është shumë i rëndësishëm për ne”, u shpreh Kane. Sipas kapitenit të Anglisë, Karl është një armë e vlefshme kundër skuadrave që mbrohen thellë:

“Shpesh përballemi me mbrojtje shumë të ulëta ose sisteme si 5-4-1, ku është e vështirë të gjesh hapësira. Lenny, falë shpejtësisë dhe aftësisë për të kaluar kundërshtarin, arrin t’i hapë këto hapësira. Në këtë aspekt më kujton shumë Jamal Musiala-n, sepse krijon epërsi numerike dhe na ndihmon të arrijmë më lehtë te gjuajtja”. Kane vuri në dukje edhe pjekurinë e Karl në fazën pa top: “Punon shumë për skuadrën. Me metodën tonë të stërvitjes dhe me një trajner kaq kërkues, nuk mund të ishte ndryshe. Është një djalë i qetë, gjë normale për moshën e tij, por mëson çdo ditë dhe po e shijon këtë eksperiencë. Prania e tij ka bërë vërtet diferencën në disa ndeshje këtë sezon”.

sfidanti.al