Inter, Acerbi mungon një muaj

Interi nuk ka kaluar një javë të mirë, pasi humbja përballë Liverpulit në Ligën e Kampioneve është shoqëruar edhe me dëmtimin e dy elementëve të rëndësishme për Kristian Kivu.

Gjatë pjesës së parë të ndeshjes, fushën e lojës për dëmtim e la Françesko Açerbi dhe klubi bëri të ditur sot si është situata e mbrojtësit të qendrës.

Sipas raportit mjekësor të publikuar nga klubi, ai ka një problem në bicepsin femoral të kofshës së majtë.
Kjo do të thotë se lojtarin e pret të paktën një muaj jashtë fushave të lojës, duke llogaritur kohën e rikuperimit për dëmtime të tilla.

Kësisoj, përveç ndeshjeve të Superkupës së Italisë, ai do të humbasë edhe sfidat në kampionat ndaj Xhenoas, Atalantës, Bolonjës dhe Parmës.

Do të jetë e vështirë që ai të rikuperohet në kohë edhe për ndeshjen e kampionatit ndaj Napolit më 11 janar.

sfidanti.al