Barcelona është prekur nga lëndime të shpeshta gjatë gjithë këtij sezoni, dhe e fundit ndodhi javën e kaluar.
Dani Olmo, i cili kishte filluar të merrte formë pas një nisjeje zhgënjyese të kampanjës, u detyrua të largohej nga ndeshja kundër Atletico Madrid pasi pësoi një zhvendosje të shpatullës gjatë momentit të shënimit të golit në “Spotify Camp Nou”.
27-vjeçari po ndihet mirë, dhe nëse nuk ka komplikime, ai pritet të marrë “ok”-in mjekësor në fund të pushimit dimëror.
Hansi Flick e sheh Olmon dhe Fermin Lopez si dy opsionet kryesore për pozitën numër 10, edhe pse trajneri gjerman ka provuar edhe alternativat tjera javët e fundit.
Talenti 17-vjeçar i La Masias, Dro Fernandez, ka startuar dy herë këtë sezon, ndërsa Lamine Yamal dhe Raphinha kanë luajtur po ashtu në atë rol në dy ndeshjet e fundit kundër Real Betis dhe Eintracht Frankfurt.
Fermin pritet të rikthehet në atë pozitë sapo të jetë plotësisht i shëruar, pasi ishte në formë shumë të mirë para se të lëndohej muajin e kaluar.
Olmo do të duhet të luftojë fort për të rifituar vendin në formacion.

