Mercedes-i mbron Kimi Antonelli-n

Piloti i ri italian, Kimi Antonelli, është bërë qendra e një stuhie të vërtetë urrejtjeje ‘online’ pas garës së Çmimit të Madh të Katarit, ku u akuzua padrejtësisht për favorizim të Lando Norrisit në momentet e fundit të garës. Shkëndija e polemikës u ndez nga deklaratat e nxituara të dy figurave të rëndësishme të Red Bull-it, Giampiero Lambiase dhe Helmut Marko, të cilët kritikuan manovrën e parakalimit ndaj Antonelli-t nga lideri i Botërorit. Më vonë, Red Bull-i kërkoi falje zyrtare.

+1000% më shumë urrejtje, shifrat alarmante të Mercedes-it

Sipas të dhënave të mbledhura nga sistemet e monitorimit të Mercedes-it, situata eskaloi me shpejtësi në rrjetet sociale, duke u kthyer në një “gjyq publik” pa asnjë rregull. Vetëm në profilin e Kimi Antonelli-t u regjistruan më shumë se 1.100 komente fyese, një rritje mbi 1000% krahasuar me një të diel të zakonshme gare. Shumë prej këtyre mesazheve përmbanin kërcënime serioze me vdekje dhe thirrje për dhunë fizike ndaj pilotit 19-vjeçar. Edhe llogaritë zyrtare të Mercedes-it u bombarduan me rreth 330 mesazhe agresive të së njëjtës natyrë.

Mercedes i drejtohet FIA-s me një dosje të plotë

Përballë kësaj vale dhune digjitale, Mercedes-i nuk qëndroi pasiv. Skuadra përgatiti dhe i dorëzoi FIA-s një dosje të detajuar mbi abuzimet e dokumentuara, duke kërkuar ndërhyrje dhe masa konkrete. FIA, e cila prej kohësh zhvillon fushata kundër abuzimeve ‘online’, reagoi menjëherë me një qëndrim të fortë, duke dënuar kategorikisht sulmet dhe duke shprehur mbështetje të plotë për Antonelli-n. Në shenjë proteste dhe për t’u distancuar nga klima toksike në rrjet, Kimi Antonelli ka zëvendësuar imazhin e tij të profilit në rrjetet sociale me një ekran tërësisht të zi, duke dërguar një mesazh qartë kundër urrejtjes digjitale.

sfidanti.al