Edhe një tjetër… dhe tashmë janë plot 20. Ajo që po bën Unai Emery nuk pushon së habituri. Trajneri spanjoll ka thyer çdo skemë në Angli. Ai është shndërruar në një pikë reference, jo vetëm tek Aston Villa, por në gjithë vendin. Ndeshje pas ndeshjeje ka kapërcyer sfida dhe barriera. ‘Villa Park’, “tempulli” i tij, e adhuron, dhe me të drejtë. Në vitin 2025 Aston Villa është skuadra më e mirë e Anglisë në stadiumin e vet. Nga 25 ndeshje zyrtare të luajtura në shtëpi, ka fituar 20, e fundit, ajo e djeshme ndaj Wolverhampton-it.
Nuk është rastësi që klubi ka një listë pritjeje prej më shumë se 25.000 tifozësh për të siguruar një abonim sezonal. Tifozët e Villa-s po kënaqen si kurrë më parë dhe këtë vit kanë parë skuadrën të humbasë vetëm një herë në shtëpi. E pabesueshme. Nga janari deri në nëntor, ata kanë arritur një seri që askush në futbollin profesionist britanik nuk e ka arritur. Vetëm katër barazime janë “shpëtuar”, dhe vetëm Crystal Palace, në fillim të këtij sezoni, ka marrë tri pikët në Birmingham.
Një rekord tjetër i thyer nga Emery
Seria në shtëpi nisi në janar me fitoret ndaj Celtic Glasgow, Leicester-it dhe West Ham-it në Kupë, dhe nuk është ndalur gjatë gjithë vitit. E vetmja rënie e vogël erdhi në fillimin e këtij sezoni në Premier League: gushti u mbyll me një barazim në shtëpi dhe një humbje 0-3 ndaj Crystal Palace, që u bë pika e kthese e sezonit. Projekti nisi keq dhe skuadra pas asaj humbjeje ra në vendin e parafundit. Tre muaj më vonë, Villa është e katërta, me pikë të barabarta me Chelsea-n, pesë fitore radhazi në ligën më të vështirë të botës, një pikë larg City-t të vendit të dytë dhe gjashtë larg liderit Arsenal.
Për të mbyllur vitin, Villa ka dy sfidat më të mëdha: vizitat në fushën e Arsenalit, si dhe përballjen ndaj Manchester United-it në stadiumin më të frikshëm të Anglisë, “Old Trafford”. Një tjetër provë për ekipin e Emery-t, i cili këtë sezon po lufton si i barabartë me rivalët, pavarësisht se ka investimin neto më të ulët në kampionat.

