Është vendosur zyrtarisht se ku do të luhet ndeshja gjysmëfinale për Kualifikueset e Kupës së Botës, mes Sllovakisë dhe Kosovës. Federata e Futbollit të Sllovakisë, ka njoftuar se kjo ndeshje do të luhet në kryeqytet në Bratislavë në stadiumin Tehelne Pole. Sfida mes Sllovakisë dhe Kosovës zhvillohet të enjten e 26 marsit të vitit 2026 me fillim nga ora 20:45.
Sekretari i Përgjithshëm i Federatës Sllovake të Futbollit, Peter Palencik, tha se ishin tre stadiume në garë, por në fund është vendosur për Tehelne Pole, stadium që ka kapacitet prej 22 mijë ulëseve. “Ne morëm në konsideratë stadiumet në Bratislavë, Trnavë dhe Kosice. U analizuan të gjitha rrethanat, kushtet, kapaciteti, logjistika për të dy ekipet dhe mundësia për ndërhyrje në raste të paparashikuara. Në fund, vendosëm që ndeshja me Kosovën të zhvillohet në Bratislavë dhe këtë informacion ia përcollëm edhe UEFA-s”, ka thënë Palencik për faqen zyrtare të Federatës sllovake.
Gjithashtu Federata e Futbollit të Sllovakisë ka njoftuar se së shpejti do të publikohen edhe çmimet e biletave në faqen e tyre zyrtare.
sfidanti.al

