Karim Adeyemi ka folur publikisht dhe ka kërkuar falje pasi u bë e ditur se ai ishte akuzuar për posedim të armëve të paligjshme. Javën e kaluar u zbulua se Adeyemi, i cili ndodhej me kombëtaren e Gjermanisë, por nuk luajti në asnjërën prej ndeshjeve kualifikuese të Botërorit 2026 kundër Luksemburgut dhe Sllovakisë, ishte akuzuar dhe gjobitur më herët me 450 mijë euro për posedimin e dy armëve të paligjshme, një grushtore metalike dhe një pistoletë me elektroshok (taser), pajisje që nuk lejohen pa leje zyrtare. “Ka qenë një gabim i madh, për të cilin pendohem thellë dhe ndiej keqardhje. E di që jam në qendër të vëmendjes dhe kam përgjegjësi si shembull për njerëzit, nuk isha në nivelin e duhur. Kam mësuar shumë dhe premtoj se do t’i shmang gabime të tilla,” – reagoi Adeyemi, partneri i reperes shqiptare, Loredana.
Përveç gjobës, ai duhet të kryejë edhe shërbim komunitar, pasi Borussia Dortmund ka vendosur të mos e ndëshkojë financiarisht, por ta angazhojë në projekte për të rinjtë, në bashkëpunim me Federatën Gjermane të Futbollit. Duke folur për televizionin gjerman ZDF pas ndeshjes kundër Sllovakisë, drejtori sportiv i Gjermanisë, Rudi Völler, deklaroi: “Julian (Nagelsmann) dhe unë folëm me Karimin dhe donim të dëgjonim versionin e tij të ngjarjes, dhe ai u përpoq ta shpjegonte situatën.
“Duhet të jemi kritikë, kjo është e qartë. Por duam të qëndrojmë pas këtij djali, gjë që e kemi bërë. Nuk duam ta dënojmë. Të gjithë kemi bërë gabime kur kemi qenë në moshën e tij, edhe pse ndoshta jo në këtë masë. Lojtarët duhet të ndëshkohen, por gjithashtu duhet t’i mbështesim disa prej tyre. Lojtarët e rinj bëjnë gabime. Në këtë rast, ka qenë një gabim i marrë. Nuk dua të parashikoj se çfarë do të ndodhë më pas. Do të vendosim në kohën e duhur.”
sfidanti.al

