Cristiano Ronaldo konfirmon: Botërori 2026 do të jetë i fundit

Cristiano Ronaldo ka zbuluar përfundimisht planin e tij për t’u tërhequr nga futbolli, duke konfirmuar se Kampionati Botëror 2026 do të jetë turneu i fundit i madh në karrierën e tij.

Sulmuesi i Portugalisë, i cili ka shënuar mbi 950 gola për klube dhe kombëtare që nga debutimi i tij si adoleshent me Sportingun në vitin 2002, tha në një intervistë të dhënë të martën se “do të largohet nga futbolli brenda një ose dy vitesh”, për t’iu përkushtuar më shumë familjes.

“Po e shijoj shumë këtë moment. Ndihem mirë, shënoj gola dhe jam ende i shpejtë e i mprehtë. Por le të jemi realistë, ndoshta do të luaj edhe një ose dy vjet,” tha 40-vjeçari gjatë një samiti ndërkombëtar në Arabinë Saudite.

Ronaldo, që në qershor zgjati kontratën me Al-Nassr deri në vitin 2027, e ka ende në objektiv titullin e vetëm që i mungon, Kupën e Botës. Ai konfirmoi se turneu i vitit 2026 në SHBA, Kanada dhe Meksikë do të jetë i fundit në skenën më të madhe të futbollit.

“Po, përfundimisht po. Do të jem 41 vjeç dhe mendoj se është momenti i duhur. I kam dhënë gjithçka futbollit për 25 vjet. Kam thyer shumë rekorde, si me klubet ashtu edhe me kombëtaren. Jam shumë krenar, tani dua të shijoj çdo moment,” deklaroi ai.

Me 143 gola ndërkombëtarë, Ronaldo mbetet golashënuesi më i mirë në historinë e kombëtareve. Portugalia është vetëm dy pikë larg kualifikimit për Botërorin e ardhshëm dhe ‘ylli’ luzitan synon ta mbyllë karrierën me stil.

Ndërkohë, djali i tij Cristiano Jr., që luan për Portugalinë U-16, po ndjek hapat e të atit. “Si prind, dua që ai të jetë i lumtur. Nuk ka rëndësi nëse luan futboll apo merret me diçka tjetër. Unë do të jem gjithmonë aty për ta mbështetur,” përfundoi Ronaldo.

sfidanti.al