Dëmtim serioz për Dovbyk, mungon 4-6 javë

Problemet e Romës në repartin e sulmit po shtohen. Pas mungesave të Paulo Dybalas, Lewis Ferguson-it dhe Leon Bailey-t, tani vjen edhe lajmi i keq për Artem Dovbyk. Sulmuesi ukrainas u detyrua të largohej nga fusha në minutën e 44-të të ndeshjes kundër Udinese-s, duke lënë vendin për Tommaso Baldanzin.

Pas kontrolleve mjekësore të kryera në mëngjes, u konstatua se Dovbyk ka pësuar një dëmtim të tendinit të ‘rectus femoris’ në kofshën e majtë. Sipas parashikimeve të stafit mjekësor, ai do të qëndrojë jashtë fushës për rreth katër deri në gjashtë javë, çka do të thotë se mund të rikthehet në fund të vitit, në ndeshjen ndaj Genoa-s të drejtuar nga ish-trajneri i Romës, Daniele De Rossi, ose në fillim të vitit të ardhshëm. Situata nuk është më e mirë as për futbollistët e tjerë të dëmtuar në sulm. Ferguson po vuan nga një dëmtim në kyçin e këmbës së djathtë me përfshirje kapsulo-ligamentare, por pavarësisht kësaj, përfaqësuesi e Irlandës e ka grumbulluar për ndeshjet kualifikuese të Botërorit.

Dybala, nga ana tjetër, ka një dëmtim mesatar në biceps-in femoral të këmbës së majtë. Stafi mjekësor i Romës po vlerëson mundësinë që ai të rikuperohet për sfidën e 23 nëntorit kundër Cremonese-s. Ndërkohë, Leon Bailey vazhdon të qëndrojë jashtë për shkak të një dëmtimi në të njëjtin muskul, duke lënë Gasperinin me shumë pak alternativa në repartin ofensiv në një periudhë vendimtare të sezonit.

sfidanti.al