Luis Diaz për pak i theu këmbën, ja sa do të mungojë Hakimi

Achraf Hakimi iu nënshtrua sot në mëngjes ekzaminimeve në Paris për të përcaktuar shkallën e dëmtimit, pasi u largua me barelë nga fusha mbrëmë në ndeshjen kundër Bayern-it në “Parc des Princes”. Futbollisti, i cili u pa të largohej nga stadiumi me paterica, ka pësuar një dëmtim në kyçin e këmbës dhe tashmë ka marrë raportin mjekësor. Mbrojtësi vuan një këputje në sindesmozë me një dëmtim të lehtë të ligamentit deltoid dhe do të mungojë për rreth dy muaj.

Një ndërhyrje nga pas e Luis Díaz, e cila pas rishikimit të VAR-it i kushtoi kartonin e kuq, e nxori jashtë loje lojtarin maroken. Si stafi mjekësor, ashtu edhe shokët e ekipit u frikësuan për më të keqen, por ekzaminimet e para të kryera në stadium pas ndeshjes krijuan dyshime se kyçi i këmbës së majtë mund të mos ishte thyer. Në fund, Achraf nuk do të ketë nevojë për operacion.

Pas testeve të kryera sot, gjithçka tregon se Hakimi do të ketë nevojë për të paktën dy muaj rikuperim, gjë që e vë në rrezik pjesëmarrjen në Kupën e Afrikës, e cila nis më 21 dhjetor. Maroku do të ndjekë me shumë vëmendje gjendjen e mbrojtësit të PSG-së dhe kapitenit të kombëtares.

sfidanti.al