Drejtori i përgjithshëm i Bayern Munchen, Jan-Christian Dreesen, ka konfirmuar se Barcelona ka shlyer plotësisht pagesat për transferimin e sulmuesit Robert Lewandowski, duke i dhënë fund spekulimeve se katalanasit ende i detyroheshin para klubit gjerman. Lewandowski u bashkua me Barcelonën në vitin 2022 pas tetë sezonesh te Bayerni, në një marrëveshje me vlerë 45 milionë euro.
“Gjithçka është paguar”, tha Dreesen gjatë mbledhjes vjetore të klubit, duke sqaruar se gjermanët kanë marrë tashmë shumën e plotë të transferimit.
Deklarata e tij vjen në një kohë kur mediat raportojnë se Barcelona ende i detyrohet rreth 159 milionë euro klubeve të tjera për transferime të mëparshme. Sipas raportit financiar të fundit, rreth 140 milionë euro duhet të paguhen brenda një viti, ndërsa 18 milionë euro të tjera figurojnë si borxhe afatgjata. Një pjesë e këtyre detyrimeve lidhet me blerjet e profilit të lartë si Ferran Torres dhe Raphinha, por në rastin e Lewandowskit, Dreesen ka bërë të qartë se pagesat janë mbyllur përfundimisht. Barcelona ndërkohë ende nuk ka luksin për të bërë transferime tjera, së paku jo pa shitur ndonjë nga yjet kryesorë.
sfidanti.al

