Një ngjarje e pazakontë ka ndodhur në Finlandë, ku futbollisti brazilian, Jonatan Guerreiro, u arrestua fundjavën e kaluar menjëherë pas përfundimit të ndeshjes midis EsPa dhe Finnkurd, në kuadër të Ligës së 5-të finlandeze, që ishte edhe ndeshja e fundit e sezonit. Skuadra e Finnkurd fitoi me rezultatin 8–1, ndërsa Guerreiro ishte protagonisti absolut duke shënuar shtatë nga tetë golat e ekipit të tij. Megjithatë, performanca e jashtëzakonshme nuk kaloi pa dyshime, futbollisti u ndalua nga policia nën akuzën për përfshirje në manipulim rezultatesh me qëllim përfitimi për bastvënësit. Dyshimet u shtuan pasi pjesa e parë përfundoi vetëm 2–0, ndërsa të shtatë golat e tjerë u shënuan në pjesën e dytë, një zhvillim i pazakontë që ngriti shumë pikëpyetje.
Përveç se ishte kapiten i skuadrës, Jonatan Guerreiro kishte marrë përsipër edhe rolin e trajnerit të ekipit, vetëm tri javë më parë. Policia finlandeze kishte prej kohësh nën hetim disa ndeshje të tjera të dyshuara të Finnkurd-it, për shkak të lidhjeve të mundshme me grupe që merren me trukime sportive. Sipas të përditshmes braziliane GloboEsporte, rreth 20 agjentë policie ndodheshin në stadium gjatë ndeshjes dhe sapo arbitri fishkëllyeu përfundimin e saj, ata hynë në fushë për të kryer arrestimin. Përveç Guerreiro-s, dy futbollistë të tjerë brazilianë të skuadrës u ndaluan po ashtu, por u liruan pas marrjes në pyetje. Federata Finlandeze e Futbollit, përmes përfaqësuesit të saj Pekka Soini, konfirmoi për medien braziliane arrestimin e një lojtari nga Brazili.
Skuadra e Finnkurd është gjysmamatore dhe kishte dalë më parë në skenë në një raport investigativ të vitit 2024, ku përmendej si klub i përdorur nga grupe braziliane për manipulim rezultatesh. Sipas raportit, këto grupe rekrutonin lojtarë në Brazil me premtime për pagë, strehim dhe ushqim në Evropë, por pasi mbërrinin në Finlandë, detyroheshin të merrnin pjesë në trukime ndeshjesh për përfitime të paligjshme në bastet sportive.
sfidanti.al