Ivan Klasnic, rrëfen ‘ferrin’ e jetës pas futbollit

Jeta e ish-sulmuesit kroat, Ivan Klasnic, është kthyer në një vërtetë të dhimbshme pas përfundimit të karrierës së tij. Në moshën 45-vjeçare, ai ka rrëfyer në një dokumentar gjerman se po përballet me pasoja të rënda shëndetësore për shkak të përdorimit të tepruar të barnave gjatë viteve si futbollist. “Duhet të jem mirënjohës që jam ende gjallë, por nuk e di sa kohë më ka mbetur,” – tha Klasnic me zë të dridhur. Gjatë karrierës, ai ka luajtur në Bundesligë me St. Paulin, Werder Bremen-in dhe Mainz-in, në Francë me Nantes, ndërsa në Angli me Bolton Wanderers. Me Kroacinë ka marrë pjesë në Botërorin 2006 dhe në Euro 2008, duke u bërë një nga emrat më të respektuar të brezit të tij. Por pas përfundimit të karrierës, jeta e tij mori një kthesë tragjike.

Për shkak të përdorimit të vazhdueshëm të ilaçeve kundër dhimbjeve, Klasnic ka pësuar dëmtime të rënda në veshka dhe ka kaluar plot tri transplante renale. “Sporti nuk mund të mbijetojë pa përdorimin sistematik të barnave. Por po të kisha ditur se kisha probleme me veshkat, nuk do t’i kisha marrë kurrë ato medikamente,” – rrëfeu ai. Ish-sulmuesi zhvilloi një betejë ligjore 12-vjeçare kundër klubit të Werder Bremen-it, i cili, sipas gjykatës, kishte dështuar të zbulonte dhe trajtonte në kohë vlerat e tij të dëmtuara renale. Në vitin 2020, drejtësia gjermane e shpalli klubin përgjegjës dhe e dënoi me një dëmshpërblim prej 4.5 milionë eurosh, ndërsa dy mjekët e përfshirë u gjobitën me mbi 100 mijë euro për neglizhencë. “Jam i zemëruar,” – pranoi Klasnic. – “Nuk dua që askush të kalojë atë që kam kaluar unë. Paratë nuk ma kthejnë dot shëndetin, dhe as vitet e humbura.”

sfidanti.al