Ndeshja mes Barcelonës dhe Olympiacosit, e vlefshme për raundin e tretë të fazës së grupeve të Champions League, është programuar të zhvillohet në ‘Spotify Camp Nou’, më 21 tetor, sipas njoftimit të publikuar nga UEFA në faqen e saj zyrtare. Vetëm tri ditë më parë, më 18 tetor, Barcelona do të përballet me Gironën në La Liga. Edhe pse ende nuk është konfirmuar zyrtarisht vendi i zhvillimit të kësaj ndeshjeje, autoritetet lokale të Barcelonës kanë shprehur optimizëm që përballja mund të zhvillohet në ‘Camp Nou’. Kryetari i Bashkisë, Jaume Collboni, u shpreh se priten lajme të mira shumë shpejt, ndërsa nënkryetari i Bashkisë për Sigurinë, Albert Batlle, tha: “Shpresojmë që të bëhen rregullimet e nevojshme dhe nga ana e sigurisë të jepet miratimi për rihapjen e pjesshme të ‘Camp Nou-t”. Mendoj se problemet e vogla që kishim do të zgjidhen.” Megjithatë, fakti që Barça mund të rikthehet në kampionat më 18 tetor nuk garanton se do të ndodhë e njëjta gjë në Champions tri ditë më vonë. UEFA kërkon që të ketë përparim më të madh në punimet e stadiumit krahasuar me kërkesat e La Ligas, përfshirë hapjen e anës së dytë të tribunës, gjë që ende nuk është përfunduar.
Kjo do të rriste kapacitetin nga 27.000 në 45.000 tifozë. Një tjetër problem është se rregullorja e UEFA-s nuk lejon që një skuadër të zhvillojë ndeshjet e grupit në dy stadiume të ndryshme. Barcelona këtë të mërkurë do të luajë ndaj PSG-së në Montjuïc, prandaj klubi katalanas ka kërkuar një leje të veçantë nga institucioni europian. Brenda klubit mbizotëron optimizmi se kërkesa do të miratohet. Qëndrimi i Barcelonës është se ky ndryshim nuk ka të bëjë me përfitime ekonomike, por me nevojën e rikthimit sa më shpejt në shtëpinë historike të ekipit. Megjithatë, derisa të jepet zyrtarisht miratimi i UEFA-s dhe të përfundojë hapja e sektorit të dytë të tribunës, rikthimi i Barçës në ‘Spotify Camp Nou’ mbetet ende i pasigurt, pavarësisht publikimit në faqen e organizmit europian.
sfidanti.al