Partizani nuk ka mentalitetin që priste Milinkoviç

Partizani realizoi ndaj Bylisit i pari, ashtu si kishte bërë edhe me Vllazninë më parë, por më pas rezultati u përmbys. Si asnjë skuadër tjetër e Superiores, të kuqtë kanë pësuar tetë gola në tri javët e fundit. Dhe kjo statistikë vjen me Alban Hoxhën në portë, që ka shpëtuar ekipin nga gola të tjerë. Nëse Partizani është mburrur më parë me mbrojtjen, tashmë përveç repartit ofensiv problemet i vërehen edhe në prapavijë. Milinkoviç u shpreh i habitur pas ndeshjes ndaj Bylisit, si Partizani u dorëzua. Golat e Vllaznisë, ai i Elbasanit dhe në fund të Bylisit kanë tronditur pozitat e Mladen Milinkoviç. Në asnjë rast Partizani nuk ka shënuar pastaj, duke pranuar kështu rezultatin. Partizani ka provuar disa kapitenë në muajt e fundit, por Milinkoviç tha se nuk sheh asnjë lider në fushë. Fillimisht shiriti iu dorëzua Skukës, që e mori nga Preka. Më pas ky i fundit u gradua sërish kapiten, pas përplasjes që Skuka pati me Garsian ndaj Teutës. Nga ai moment duket se edhe kanë ndryshuar shumë gjëra, teksa Partizani është larg emrit që përfaqëson. Për shkak të problemeve që Qirko ka pasur, Hoxha është rikthyer dhe kapiten i parë është pikërisht ai. Në tre takime, pritjet nuk kanë munguar, por në total janë tetë gola të pësuar.

sfidanti.al