Bayerni i Mynihut, skuadra më e titulluar e Gjermanisë me 34 tituj kampion, 20 Kupa të Gjermanisë dhe 6 Champions League, po përgatitet për një ndryshim kursi në politikën e merkatos. Pas disa investimeve të mëdha vitet e fundit, në Bavari po rritet bindja se është koha për t’i dhënë fund “çmendurive” financiare.
Transferimet e bujshme si ato të Matthijs De Ligt (67 milionë euro), Harry Kane (115 milionë) dhe Kim Min-Jae (55 milionë nga Napoli) kanë krijuar pakënaqësi si brenda klubit, ashtu edhe mes sponsorëve. Shpenzimet e larta janë parë me dyshim dhe frikë se mund të rrezikojnë modelin financiar të qëndrueshëm që ka karakterizuar gjithmonë bavarezët. Zëri i Karl-Heinz Rummenigge, një prej figurave më të rëndësishme në historinë e klubit, i ka dhënë më shumë peshë këtij debati. “Më vjen keq për Florian Wirtz, sepse mendoj se do të ishte përshtatur më mirë te Bayerni sesa te Liverpool-i. Po ashtu mund të kishim marrë edhe Nick Woltemade. Por Bayerni duhet të tregojë kujdes, nuk duhet të lejojë të tërhiqet në marrëzi ekonomike. Qëllimi ynë mbetet suksesi sportiv, por me një menaxhim serioz e të qëndrueshëm”, deklaroi ai.
Megjithatë, klubi nuk ka ndalur së investuari plotësisht: transferimi i Luis Díaz për 70 milionë euro është një shembull i fundit. Por vështirësia për të blerë lojtarë gjermanë me çmime të arsyeshme, për shkak të gjendjes së mirë ekonomike të shumicës së klubeve, e bën strategjinë e re edhe më të komplikuar. Në Bavari, duket se po konsolidohet ideja se fitoret duhet të vijnë jo vetëm nga ‘yjet’ e shtrenjtë, por edhe nga menaxhimi i zgjuar dhe respekti për traditën.