“Neymar i varur nga uiski dhe veset e këqija”

Koha e Neymar-it te Santos po bëhet gjithnjë e më e vështirë. Sipas medieve braziliane, ‘ylli’ 33-vjeçar akuzohet për sjellje joprofesionale, me gazetarin Rodolfo Gomes që ka deklaruar se sulmuesi është “i varur nga uiski dhe pijet energjike, pi shisha dhe fle vetëm në orën katër ose pesë të mëngjesit”.

Që prej rikthimit në janar, Neymar ka luajtur vetëm 21 ndeshje, duke shënuar 6 gola e dhënë 3 asiste, por është penguar shpesh nga dëmtimet dhe mungesa e formës. Sulmuesi, që mban shiritin e kapitenit te klubi i tij i fëmijërisë, ka humbur edhe ndeshjen e fundit të Santos-it për shkak të një dëmtimi në kofshë dhe pritet të mos rikthehet në fushë deri në fillim të vitit 2026, ndërsa sezoni i klubit përfundon në dhjetor. Këto zhvillime kanë shtuar dyshimet mbi mundësinë e tij për të qenë pjesë e Brazilit në Botërorin 2026, sidomos pasi nuk është përfshirë në listat e para të Carlo Ancelotti-t. Megjithatë, legjenda Ronaldo ka dalë në mbrojtje të tij: “Neymar është një lojtar kyç për Brazilin. Nuk kemi një tjetër si ai. Nëse arrin të jetë 100% në Kupën e Botës, do të jemi shumë më të fortë. Kritikat janë të tepruara, kush ka luajtur futboll e di sa e vështirë është të rikuperohesh pas një dëmtimi të madh”.

E ardhmja e Neymar-it mbetet e paqartë mes akuzave për zakone të këqija dhe shpresës për rikthim në kohë për sfidën më të madhe të karrierës së tij: Botërorin e vitit të ardhshëm.

sfidanti.al