Partizani aktual ka 3 pikë më pak krahasuar me sezonin e kaluar, kur ishin mbyllur katër javë. Fillimisht me Arbër Abilaliajn dhe më pas me Aleksandër Veselinoviç, të kuqtë shkonin në kuotën e 7 pikëve pas katër ndeshjesh të luajtura. Të njëjtin numër pikësh grumbullonin edhe Elbasani, Vllaznia me Egnatian. Trajneri Veselinoviç mbahej mend për ecurinë e gjatë pa pësuar humbje. Ndryshe është situata me Milinkoviç, i cili tashmë regjistron dy disfata radhazi. Llogaritë kanë filluar të bëhen të vështira. Vetëm Elbasani ka përmirësuar situatën e tij nga vjet, pasi regjistron 10 pikë duke kryesuar i vetëm. Pjesa tjetër nuk i kalon sërish 7 pikë. Vendi i shtatë që Partizani aktualisht mban mund të përkthehet me situatë alarmante, nëse ndryshimi nuk vjen që të shtunën.
Kështu shpresa qëndron që gjithçka mund të rregullohet, vetëm nëse Partizani fiton në Ballsh. Kjo sepse në përfundim të pesë javëve do të ishin 7 pikë të grumbulluara. Ndryshe vetëm 1 më pak se shtatori i kaluar në të njëjtën situatë. Për më tepër që Partizani është para sfidës në derbi me Tiranën. Dhe duke qenë se fitorja në edicionin e kaluar mungoi, tetori mund të kthehet në frymëmarrjen që Milinkoviç ka nevojë te kryeqytetasit. Delikate paraqitet situata për trajnerin e “demave”, i cili nëse nuk fiton në Ballsh do të ndihej i rrezikuar. Vetëm Mark Iuliano me 2 pikë pas katër javësh dhe Ilir Daja në kuotën e 3 pikë, respektivisht në edicionet 2017/18 dhe 2021/22, e nisnin më keq. Statistikat kanë filluar të flasin dhe të krijojnë presion, që gjithsesi klubi i kuq si gjithmonë mundohet të mos e përcjellë. Bylisi mati forcat me Dinamon në stadiumin “Selman Stërmasi”, disa ditë më parë, dhe pjesëtarë të stafit të Partizanit vendosën ta ndiqnin nga pranë takimin. Çdokush tjetër do e shfrytëzonte të dielën pushim, por jo të kuqtë të cilët tashmë janë me laps e letër në dorë. Bylisi ndërkohë u tregua i fortë ndaj Dinamos duke barazuar pa gola në transfertë. Sinjalet tregojnë se Partizanin e pret transfertë mjaft e vështirë, sidomos duke marrë parasysh se dy sfidat e fundit atje janë mbyllur humbje. Nga dinamovitët ndërkohë erdhi një asist për rivalët e kryeqytetit, pasi Peralta mungon të shtunën për shkak të kartonit të kuq që mori. Futbollisti me eksperiencë është lider te skuadra e Mirel Josës, që duhet të bëjë llogaritë pa të këtë radhë.