Vlahovic – Juve, gola në fushë, dilema jashtë saj

Dusan Vlahovic po kalon një moment të shkëlqyer me Juventusin. Me 6 gola në 7 ndeshje, sulmuesi serb u bë protagonist absolut edhe në barazimin dramatik ndaj Borussia Dortmundit në Champions League, duke hyrë nga stoli për të ndryshuar fatin e sfidës me gol dhe asist. Një përgjigje e qartë pas një vere të stuhishme, ku emri i tij qëndroi gjatë në listën e transferimeve. Në vend të polemikave, Vlahovic zgjodhi fushën për të bindur trajnerin Igor Tudor dhe ia doli. Por jashtë fushës mbeten problemet. 12 milionë euro pagë dhe një kontratë që skadon në qershor 2026 janë gurët e rëndë të një çështjeje që ende nuk ka zgjidhje. Bisedimet mes klubit dhe lojtarit kanë qenë pothuajse të ngrira, me palët të ‘blinduara’ në qëndrimet e tyre. Megjithatë, në Torino fillon të ndihet një fllad shprese: për të shmangur një divorc të vështirë, pritet që bisedimet të rihapen. Vlahovic po jep mesazhet e tij më të forta në fushë, tani mbetet që klubi t’i dëgjojë edhe jashtë saj. Çështja është e hapur: kompromiset mund të vendosin nëse Vlahovic do të vazhdojë të shkruajë historinë me fanellën bardhezi apo jo.

sfidanti.al