Paga marramendëse e Sterling-ut pa luajtur asnjë minutë

Raheem Sterling po jeton një situatë të pazakontë në Londër: i përjashtuar nga planet e Chelsea-t, por duke vazhduar të fitojë shifra të frikshme.

Sulmuesi anglez, tashmë 30-vjeçar, është i lidhur me klubin deri në vitin 2027. Kjo do të thotë se nëse nuk gjen skuadër të re, “Blutë” detyrohen t’i paguajnë plot 19 milionë euro në vit, edhe pse ai nuk është më pjesë e projektit sportiv.

Trajneri Enzo Maresca e ka bërë të qartë: Sterling është ndër lojtarët e padëshiruar dhe nuk ka asnjë skenar për rikthimin e tij në fushë. I vetmi aktivitet që i ka mbetur është stërvitja e izoluar, siç tregoi vetë lojtari në një postim në Instagram, ku ndau një moment nga përditshmëria e tij jashtë grupit kryesor.

Problemi kryesor mbetet paga e tij e majme. Asnjë klub tjetër nuk është gati të marrë përsipër një shpenzim të tillë. Përllogaritjet janë të thjeshta: Sterling arkëton rreth 325 mijë euro në javë nga Chelsea, një barrë financiare që i largon menjëherë çdo ofertues të mundshëm.


sfidanti.al