Ballkaniku i xhudos, Shqipëria kthehet me 4 medalje nga Peja

Kombëtarja shqiptare e xhudos është kthyer me katër medalje të fituara nga Kampionati Ballkanik për të rritur, aktivitet që u zhvillua në Pejë më datat 13 dhe 14 shtator. E përbërë nga 6 sportistë, në drejtimin e trajnerit Shkurt Çullhaj, përfaqësuesja kuqezi bëri paraqitje pozitive në kompeticion rajonal, duke regjistruar rezultate të rëndësishme. Rezultatin më të lartë për Shqipërinë e shënoi Indrit Çullhaj, i cili fitoi medalje argjendi në kategorinë e peshave -81kg. Ndërkohë medalje bronzi fituan Jon Vrenozi në peshat -81 kg, Klajdi Bitri në peshat -66 kg dhe Kasandra Kovaçi në kategorinë -63 kg për vajza. Për vendin e tretë Kasandra u ndesh me motrën e saj, Krista Kovaçi, një duel shumë të bukur që u mbyll në minutën e pestë me “Golden Score”. Të dyja motrat Kovaçi stërviten në Pejë nën drejtimin e Kryemjeshtrit, Driton Kuka dhe vlerësohen nga specialistët si xhudiste me të ardhme të madhe. Gjithashtu Demian Çuni (-90kg) dhe Krista Kovaçi (- 63kg), pavarësisht se nuk u futën në zonën e medaljeve zhvilluan duele shumë të mira, duke kaluar turin e parë dhe të dytë. Kështu, të gjithë sportistët kuqezi, të shoqëruar nga instruktori ndërkombëtar, Shkurt Çullhaj, bënë paraqitje dinjitoze, duke konkurruar me sportistë shumë të fortë në një aktivitet me pjesëmarrje të madhe të ekipeve ballkanike.

sfidanti.al