Pas ndërprerjes së etapës së fundit të Vuelta-s në Madrid, për shkak të protestave pro-palestineze që pushtuan rrugët e kryeqytetit spanjoll, ka ardhur një reagim i ashpër nga Izraeli. Ministri i Jashtëm izraelit, Gideon Sa’ar, përmes një postimi në rrjetin X, akuzoi kryeministrin spanjoll, Pedro Sánchez, për nxitjen e demonstruesve. Sipas tij, disa ditë më parë Sánchez kishte bërë deklarata provokuese lidhur me konfliktin në Lindjen e Mesme, të cilat, sipas qeverisë izraelite, shërbyen si shtysë për protestat që çuan në kaos dhe në anulimin e garës prestigjioze.
“Disa ditë më parë, kryeministri spanjoll tha se i vinte keq që nuk kishte një bombë atomike ‘për të ndalur Izraelin’. Sot ai inkurajoi protestuesit të dilnin në rrugë. Turma filo-palestineze dëgjoi mesazhet nxitëse dhe ndërpreu Vuelta-n. U anulua kështu një ngjarje sportive që gjithmonë ka qenë arsye krenarie për Spanjën. Sánchez dhe qeveria e tij: turp për Spanjën!”, – shkroi Sa’ar. Ngjarja ka hapur një debat të ri diplomatik midis Madridit dhe Tel Avivit, duke përzier sportin me tensionet politike, në një prej garave më të mëdha të çiklizmit në botë.
sfidanti.al