Merkato, FIFA ka bllokuar 4 klube shqiptare

Klubet e Superiores dhe ato të Kategorisë së Parë paguan në kohë rekord të gjitha detyrimet e prapambetura ndaj ish-lojtarëve dhe bënë që të rihapej merkato e tyre nga FIFA, në mënyrë që të regjistronin prurjet e reja për këtë edicion që filloi në fundjavë. Por ndërkohë, në kategoritë më poshtë, vazhdon të ketë klube me probleme të tilla. “Panorama Sport” ka mësuar se aktualisht në futbollin shqiptar janë katër klube të cilat kanë merkaton e bllokuar dhe nuk mund të bëjnë regjistrime pa shlyer detyrimet e tyre. Oriku, Këlcyra dhe Shkumbini janë tre klubet e Kategorisë së Dytë të cilat rezultojnë me probleme në sistemin e FIFA-s dhe nuk u lejohet të bëjnë afrime pa mbyllur detyrimet e mëparshme.

Ndërkohë, është edhe një klub i katërt në listë, KS Luftëtari. Por klubi gjirokastrit, i cili arriti të luante edhe në Europë, nuk ekziston më dhe është zhdukur disa vite më parë pas shpërbërjes të plotë të tij. Megjithatë, në FIFA vazhdojnë të mbeten çështjet që klubi ka humbur me 4 futbollistë të ndryshëm, ndaj merkato e këtij klubi, nëse do të kthehet ndonjë herë në aktivitet, do të jetë e mbyllur derisa ai të shlyejë këto detyrime.

 

sfidanti.al