Pasiguri për ndeshjen Barcelona-Valencia

Ende nuk dihet se ku do të luhet ndeshja mes Barcelonës dhe Valencias, e planifikuar për datat 13 ose 14 shtator. Klubi katalanas po punon me ritme të shpejta për të siguruar që dueli të zhvillohet në ‘Spotify Camp Nou’, por ende nuk ka dorëzuar certifikatën përfundimtare të punimeve, gjë që vështirëson marrjen e lejeve në kohë.

Sipas raportimeve të COPE, ideja që ndeshja të luhej në Mestalla është hedhur poshtë, pasi LaLiga nuk lejon ndërrimin e rendit të sfidave mes dy ekipeve. Një opsion tjetër, stadiumi ‘Johan Cruyff’, është i pamundur për shkak se kapaciteti prej 8.000 vendesh nuk përmbush kriteret për një ndeshje të La Liga-s.

Gjithashtu, as ‘Lluís Companys’ nuk është i disponueshëm, pasi më 12 shtator aty zhvillohet një koncert i Post Malone, që do e bënte të pamundur përgatitjen e fushës në kohë.

Në tavolinë mbetet opsioni ‘Montilivi’ i Gironës, por Barça ende nuk ka filluar ta përpunojë seriozisht këtë alternativë, duke e pasur si prioritet kthimin në ‘Camp Nou’. Ndërkohë, marrëveshja me BSM i lejon klubit të përdorë ‘Montjuïc’ deri në fund të shkurtit, por kjo nuk përfshin pikërisht përballjen me Valencian, që po rezulton më problematikja.

sfidanti.al