Arsenali nuk e mbyll dot merkaton. Pavarësisht afro 250 milionë eurove të shpenzuara deri tani këtë verë, klubi londinez është i detyruar të rikthehet në treg pas dëmtimit të Kai Havertz. Sipas ‘The Athletic’, sulmuesi gjerman, 26 vjeç, do të mungojë për disa ndeshje për shkak të një problemi në gju. Ai nuk mori pjesë në seancën stërvitore me dyer të hapura në “Emirates Stadium”, ndërsa stafi mjekësor po kryen vlerësimet për kohën e rikuperimit, e cila mbetet e paqartë. Ky është një lajm i rëndë për Mikel Artetën, i cili tashmë përballet me mungesa serioze në repartin ofensiv. Pas afrimeve të mëdha si Viktor Gyökeres (75 milionë euro) dhe Noni Madueke (rreth 60 milionë euro), drejtuesit e Arsenalit janë sërish në kërkim të një qendërsulmuesi.
Për Havertz fati i keq vazhdon: në sezonin e kaluar ai humbi mbi tre muaj pas një operacioni, ndërsa këtë verë kishte dhënë shenja rikthimi me tri aktivizime si titullar në miqësore dhe një paraqitje pozitive kundër Manchester United në startin e Premier League. Megjithatë, ky ndalim i ri rrezikon t’i ndërpresë ritmin. Situata e Arsenalit në sulm mbetet e ndërlikuar: Gabriel Jesus është ende në fazë rikuperimi nga dëmtimi i ligamentit të kryqëzuar, ndërsa Gyökeres është e vetmja alternativë e mirëfilltë në qendër të sulmit. Në këtë situatë, Arteta mund të detyrohet të përdorë Trossard ose Merino si nr. 9 fals, por ndjesia është se klubi nuk ka më shumë hapësirë për të pritur: ndërhyrja në merkato duket pothuajse e pashmangshme.
sfidanti.al