Braziliani rekordmen, Fabio luan ndeshjen e 1391-të në karrierë

Portieri legjendar i Fluminense, Fabio Deivson Lopes Maciel, ka hyrë në historinë e futbollit botëror si lojtari me më shumë ndeshje të luajtura ndonjëherë, duke regjistruar paraqitjen e tij të 1 mijë e 391-të në një ndeshje të Copa Sudamericana ndaj klubit kolumbian América de Cali, në stadiumin ikonik Maracanã. Në prag të ditëlindjes së tij të 45-të, që e feston në shtator, Fabio theu rekordin e mëparshëm të mbajtur nga legjenda angleze Peter Shilton, i cili ka luajtur 1 mijë e 390 paraqitje gjatë një karriere që zgjati plot 31 vjet.

Fabio e nisi karrierën e tij në vitin 1997 me klubin União Bandeirante, dhe gjatë gjithë rrugëtimit të tij profesional ka mbrojtur portën vetëm për tre ekipe: Vasco da Gama, Cruzeiro dhe Fluminense. Me 976 ndeshje, ai është gjithashtu lojtari me më shumë paraqitje në historinë e Cruzeiros. Pavarësisht moshës, Fabio vazhdon të jetë portieri i parë i Fluminense-s dhe ka kontribuar në sukseset e mëdha të klubit nga Rio de Janeiro, duke fituar Copa Libertadores (2023), Copa Sudamericana dhe dy kampionate kombëtare braziliane.

Kontrata e tij me Fluminense është e vlefshme deri në dhjetor 2026, çka nënkupton se ai do të vazhdojë të thellojë rekordin e tij edhe më tej. I vetmi që shihet si një kërcënim i mundshëm për rekordin e Fabios është Cristiano Ronaldo, i cili aktualisht ka 1 mijë e 287 ndeshje në karrierë. Me një formë të qëndrueshme dhe pa shenja ngadalësimi, portugezi, i cili është katër vjet e gjysmë më i ri se Fabio, mund të jetë në gjendje ta tejkalojë këtë rekord nëse vazhdon të luajë edhe për disa vite.