Alexander Isak është kthyer në emrin më të nxehtë të merkatos këtë verë. Liverpooli ka bërë një ofertë konkrete për sulmuesin suedez, por drejtuesit e Newcastle e kanë refuzuar menjëherë, duke vlerësuar se lojtari i tyre nuk kushton më pak se 175 milionë euro. Ky vendim nuk është pritur mirë, as nga vetë Isak dhe as nga ‘The Reds’, që e shohin 25-vjeçarin si objektivin kryesor të repartit ofensiv. Në kampin e ‘Magpies’, qëndrimi mbetet i palëkundur, të paktën për momentin, por presioni po rritet dita-ditës. Vetë Isak ka bërë të qartë qëllimin e tij: dëshiron të largohet këtë verë dhe të transferohet në Anfield. Ai nuk ka një plan B dhe nuk është i interesuar për asnjë klub tjetër. Dëshira e tij është e qartë, të vishet kuq e zi dhe të udhëheqë sulmin e Liverpoolit në sezonin e ri.
Ndërkohë, në garë është futur edhe një pretendent i tretë. Manchester United po ndjek me kujdes situatën dhe është gati të sfidojë Liverpoolin financiarisht, nëse Neëcastle vendos të shesë. Por për momentin, ‘Djajtë e Kuq’ nuk kanë marrë sinjale pozitive nga lojtari. Isak vazhdon të qëndrojë i përqendruar te destinacioni i tij i preferuar: Liverpooli.
Nga ana tjetër, Newcastle ndodhet në një udhëkryq. Drejtuesit janë të vetëdijshëm se mbajtja e një lojtari të pakënaqur mund të ndikojë negativisht në atmosferën e skuadrës, por nuk janë të gatshëm të bëjnë kompromis me çmimin. Isak shihet si një prej aseteve më të vlefshme të klubit dhe nuk do të largohet për më pak se vlera e caktuar. Saga është ende larg fundit. Merkatoja është e gjatë dhe situata mund të ndryshojë në çdo moment, sidomos nëse presioni i lojtarit shtohet dhe ofertat fillojnë të afrohen me kërkesat e klubit.
Një gjë është e sigurt: Alexander Isak e ka marrë vendimin e tij. Tani pritet vetëm të shihet se cili klub do të lëvizë i pari për ta bërë ëndrrën e tij realitet.
sfidanti.al