Dukati blindon Markezin: Ta mbyllë me ne karrierën!

Davide Tardoci po e “blindon” Mark Markezin. Në një intervistë për gazetën spanjolle “AS”, menaxheri i Dukatit foli për të ardhmen e pilotit spanjoll, i cili ka një kontratë me ekipin e fabrikës deri në vitin 2026, duke shpjeguar qartë dëshirën e tij për ta mbajtur Markezin për të ardhmen, më saktë për gjithë jetën: “Kur është fizikisht në formë, dhe e kam thënë tashmë këtë, ai është një nga pesë pilotët më të mirë të të gjitha kohërave. Çdo pilot ka karakteristikat e veta, dhe mendoj se Mark mund të na japë ende shumë. Shpresoj që ai të qëndrojë me Dukatin deri në fund të karrierës së tij”. Lidhur me rivalët e mundshëm të aftë për ta mposhtur Markez, Tardoci ka pak dyshime: “Kur Mark është në formë të mirë, ai është shumë i vështirë për t’u mposhtur, dhe mendoj se një nga djemtë që mund ta bëjë këtë në çdo kohë është Peko”. Megjithatë, Banjaja aktualisht ka një diferencë prej 137 pikësh në renditje, pavarësisht vendit të tretë në Saksenring, ku Ducati ngjiti tre pilotë në podium:

“Ky podium ishte shumë i rëndësishëm për ne. Mark festoi fitoren e tij të 200-të në Moto GP, Aleks Markez po rikuperohet nga fraktura në dorë, dhe Peko, i cili arriti në podium pas një të shtune të vështirë, ishte shumë i lumtur”, u shpreh Tardoci. Më tej, ai shtoi:

“Gjëja e rëndësishme tani është të gjejmë një mënyrë për ta rikthyer Pekon në nivelin e tij më të mirë, sepse ai nuk është në nivelin e tij aktualisht. E dimë që ai mund të bëjë shumë më mirë. Gara në Gjermani ishte e kënaqshme, por e dimë që ai duhet të japë më shumë, dhe presim që Peko të jetë më konkurrues në garat e ardhshme”. Lidhur me aksidentet e shumta gjatë garës, menaxheri italian u shpreh kështu: “Pista ishte problematike. Mendoj se gomat e përparme u mbinxehën shumë sepse temperatura ishte krejtësisht e ndryshme dhe asnjë ekip nuk ishte përgatitur për këtë lloj temperature: kjo është arsyeja pse pati kaq shumë aksidente. Për fat të mirë, ekipi ynë arriti në vijën e finishit”, përfundoi Davide Tardoci.

 

sfidanti.al