Boksierët britanikë Chris Eubank Jr dhe Conor Benn kanë rënë dakord që të duelojnë sërish mes tyre më 20 shtator. Një revansh që do të zhvillohet 5 muaj nga sfida e tyre e parë. Në përballjen e parë të zhvilluar më 26 prill në stadiumin e Tottenham, Eubank fitoi me vendim unanim të gjyqtarëve pas 12 raundeve dinamikë. Tani boksierët do të përgatiten për të kryqëzuar sërish dorezat mes tyre. Ende nuk është caktuar vendi se ku do të zhvillohet sfida e vlefshme për peshën e mesme, por me shumë gjasa do të jetë Londra (në Wembley ose sërish në stadiumin e Tottenham). Duke reaguar pas këtij lajmi, Benn shkroi në Twitter: “Gati për të luftuar! 20 shtatori nuk mund të vijë aq shpejt”. Në duelin e parë, të tri gjyqtarët i dhanë fitoren Eubank me rezultatin 116-112 dhe ringjalli kujtimet e rivalitetit të ashpër të baballarëve të tyre. Kjo sfidë e parë u zhvillua 35 vjet pasi Chris Eubank Sr. dhe Nigel Benn ishin ndeshur për herë të parë. Dhe, ashtu sikurse baballarët e tyre edhe dy boksierët do të zhvillojnë një revansh. “Mendoj se dueli i dytë do të jetë edhe më i mirë se i pari. Ata nuk do të ndryshojnë, do të jetë sikur nis raundi i 13-të. Dhe kur sheh një ndeshje të tillë, për mua, gjëja automatike që duhet bërë është të bëj revanshin”, tha Eddie Hearn, promotori i njohur i boksit.
sfidanti.al