Ismajli te Torino për 1.1 mln. euro në sezon

Më Itali nuk kanë asnjë dyshim, nga 1 korrik Ardian Ismajli do të jetë një futbollist i Torinos. Nga 30 qershori, Ismajli del në treg si lojtar i lirë, por Torino dhe qendërmbrojtësi kuqezi kanë gjetur prej kohësh akordin total ndërmjet tyre. Sipas mediave italiane, Ismajli do të firmos një kontratë 3 vjeçare nga ku do të përfitojë 1,1 milionë euro në sezon. Për Ismajlin kjo është një kontratë shumë e rëndësishme, në çdo aspekt. Futbollisti shqiptar do të vijojë të luajë në Serie A, për më tepër në nivele të larta, por në të njëjtën kohë do të përfitojë edhe më shumë në aspektin financiar, tek Empoli përfitonte 900 mijë euro në sezon. Në radhët e Torinos i gëzon shumë këtij transferimi pasi Ismajli është një lojtar me shumë eksperiencë, ku në katër vitet e fundit në radhët e Empolit ka zhvilluar 104 ndeshje, madje në vitin e fundit mbajti edhe shiritin e kapitenit. Fakti që Ismajli doli në treg si lojtar i lirë bëri që mbi lojtarin të kishte shumë oferta, nga ekipe të ndryshme në Serie A, por në fund Ismajli zgjodhi Torinon një skuadër ku do të ketë mundësi të luajë si titullar. Ky është një lajm i mirë edhe për ekipin përfaqësues, pasi një nga element me të rëndësishëm të prapavijës, do të ketë mundësi të luajë në nivele të larta, në Serie A. Gjithnjë sipas mediave italiane, kontrata e re e Ismajlit me Torinon do të bëhet publike pas datës 1 korrik.

sfidanti.al