Ritmi i islandezëve, frika e vetme e Egnatias

Sfida e parë me Breidablik nuk do të jetë vetëm teknike e taktike, por edhe një garë me kohën dhe ritmin. Me një kundërshtar që ka javë të tëra në këmbë, Egnatia duhet të kompensojë përmes intensitetit, organizimit dhe grintës, vlera që Tetova po përpiqet t’ua injektojë lojtarëve që tani. Trajneri i Egnatias ka vendosur të rrisë intensitetin në fazën përgatitore të skuadrës, me synimin e qartë për të qenë në të njëjtin nivel fizik me kundërshtarin islandez Breidablik.

Ndeshja e parë në turin kualifikues të Ligës së Kampioneve po afron dhe stafi teknik nuk dëshiron të lërë asgjë në dorë të rastësisë. Skuadra ndodhet aktualisht në Bullgari, ku është ngritur baza përgatitore e fazës verore. Që nga dita e parë, trajneri Tetova ka kërkuar nga lojtarët përkushtim maksimal dhe ka shtuar ngarkesat stërvitore. Objektivi është i qartë: Egnatia duhet të jetë në maksimumin fizik në momentin që të përballet me Breidablik, një ekip që ka nisur kampionatin dhe është në formë garuese. Ndryshe nga Egnatia që sapo ka nisur përgatitjet, Breidablik është në mesin e sezonit në kampionatin islandez dhe vjen me ritëm loje shumë më të lartë. Kjo diferencë fizike ka qenë një shqetësim për stafin teknik shqiptar, i cili po përpiqet ta kompensojë me një përgatitje të përshpejtuar dhe me miqësore cilësore gjatë qëndrimit në Bullgari. Ky fakt shihet si një minus në letër, por që në Rrogozhinë shpresojnë që të mos ketë ndikim në lojë dhe kjo periudhë përgatitoreje t’i shërbejë ekipit për të kapur maksimumin e mundshëm të formës. Aktualisht, Breidablik ndodhet në vendin e dytë në kampionatin islandez, katër pikë më pak se rivalët e Vikingurit. Duke qenë se ndeshja e parë zyrtare vjen shumë shpejt, Tetova e di se koha është e kufizuar. Ai kërkon përgjigje të menjëhershme në fushë dhe një angazhim të plotë nga të gjithë lojtarët, si nga titullarët, ashtu edhe nga afrimet e reja. Çdo ditë përgatitore është vendimtare për të ndërtuar ritmin e duhur dhe për të krijuar automatizmat që do t’i duhen ekipit në Europë.

sfidanti.al