Kupa e Botës për Klube, FIFA do të përdorë Inteligjencën Artificiale

FIFA ka njoftuar disa “risi”, përfshirë përmirësimin e teknologjisë për zbulimin gjysmë-automatik të pozicionit jashtë loje (offside) falë përdorimit të inteligjencës artificiale, të cilat do të testohen gjatë Kupës së Botës për Klube që zhvillohet nga 14 qershori deri më 13 korrik në Shtetet e Bashkuara.

Teknologjia gjysmë-automatike për zbulimin e pozicionit jashtë loje është përdorur më parë në Kupën e Botës 2022 në Katar, duke përfshirë kamera të posaçme dhe një sensor të vendosur në qendër të topit që transmetonte të dhëna 500 herë në sekondë. Me ndihmën e inteligjencës artificiale, “një version i përmirësuar” i kësaj teknologjie do të përdoret në Kupën e Botës për Klube, njoftoi Federata Ndërkombëtare e Futbollit.

Sistemi do të ndjekë pozicionin e çdo lojtari dhe të topit, duke dërguar sinjalizime automatike në kohë reale për anëtarët e trupës së gjyqtarëve në rastet kur konstatohet një pozicion i qartë jashtë loje. Megjithatë, FIFA thekson se në situatat “delikate”, do të jetë gjithmonë VAR-i që do të ketë fjalën e fundit për të verifikuar informacionin. FIFA gjithashtu ka njoftuar se spektatorët në stadium do të mund të shohin në ekranet gjigante të njëjtat pamje që analizohen nga gjyqtarët gjatë përdorimit të VAR-it, për të sjellë “më shumë transparencë”.

Një risi tjetër, e shpallur më parë në prill, është se gjyqtarët do të jenë të pajisur me kamera trupore (body-cam), duke prodhuar pamje që do të transmetohen drejtpërdrejt. Ky test do të shërbejë për të vlerësuar nëse ky kënd i ri i kamerës – që paraqet aksionin nga këndvështrimi i gjyqtarit – mund të përmirësojë përvojën e tifozëve që ndjekin ndeshjet në televizion apo online.

sfidanti.al