Lamine Yamal rinovon me Barcelonën

Tashmë gjithçka duket thuajse e përfunduar: Lamine Yamal do të vazhdojë aventurën e tij me FC Barcelonën deri në vitin 2031. Sipas burimeve nga klubi katalanas dhe rrethi i ngushtë i lojtarit, pas takimit të zhvilluar këtë të hënë mes presidentit Joan Laporta, agjentit të lojtarit, Jorge Mendes, dhe drejtorit sportiv Deco, është rënë dakord për rinovimin e kontratës së ‘yllit’ të ri të futbollit spanjoll. Firma zyrtare e kontratës pritet të ndodhë nesër (e martë, 27 maj), në prani të vetë Lamine Yamali-t, përfaqësuesit të tij dhe drejtuesve të klubit.

Sipas gazetës ‘Mundo Deportivo’, mbeten vetëm edhe dy apo tri detaje të vogla për t’u finalizuar, përfshirë edhe elementin e klauzolës së lirimit, i cili ende është në diskutim. Një nga risitë e këtij marrëveshjeje është se afati i kontratës është zgjatur deri në vitin 2031, një vit më shumë se projekti fillestar që parashikonte mbylljen në 2030. Kjo u konfirmua edhe nga burime të afërta me lojtarin, si dhe nga gazetari i njohur Fabrizio Romano.

FC Barcelona ka arritur një objektiv të rëndësishëm strategjik: të sigurojë të ardhmen e një prej talenteve më të mëdhenj të akademisë, në një moment kyç për projektin e ri sportiv nën drejtimin e trajnerit Hansi Flick. Gjithashtu, është përmirësuar ndjeshëm edhe rroga e lojtarit, në përputhje me rolin e tij gjithnjë e më të madh në skuadër. Klubi kishte si objektiv që rinovimi të finalizohej para se Lamine të bashkohej me kombëtaren spanjolle për Nations League dhe të nisej me pushime.

Ata donin të shmangnin çdo vonesë deri më 13 korrik, kur Lamine Yamal mbush 18 vjeç, dhe të parandalonin çdo ndërhyrje të klubeve të pasura që mund të prishnin qetësinë e bisedimeve me oferta joshëse. Në fund, dëshira e fortë e klubit për të mbyllur këtë çështje dhe vullneti i Lamine Yamalit dhe Jorge Mendes për të ndërtuar një të ardhme të qëndrueshme në “Camp Nou” e kanë konkretizuar një rinovim që tifozët e Barcelonës do ta mirëpresin me entuziazëm të madh.

sfidanti.al