Interi është i fokusuar te fundit i sezonit, me titullin e Serie A dhe finalen e Champions League në horizont, por në prapaskenë vazhdon të diskutohet e ardhmja e Simone Inzaghit. Ndërsa pritet rinovimi i kontratës me zikaltrit, mediat arabe raportojnë për një ofensivë të re dhe shumë serioze nga ana e Al Hilal për të marrë trajnerin italian në pankinën e tyre. Sipas raportimeve, klubi saudit ka gati një ofertë marramendëse prej 20 milionë euro neto në sezon për Inzaghin, që do të merrte drejtimin e ekipit në prag të Botërorit për Klube. Fillimisht, familja e trajnerit thuhet se ka qenë skeptike ndaj këtij opsioni, por shifra e ofruar ka bërë që vetë Inzaghi të nisë reflektime të thella dhe të kryejë disa verifikime.
Burime pranë mediave në Lindjen e Mesme tregojnë se një përfaqësues i trajnerit ka udhëtuar drejt Riadit për të vlerësuar kushtet e jetesës, një vizitë eksploruese që ende nuk është konfirmuar zyrtarisht. Ajo që dihet me siguri është dëshira e presidentit të pasur të Al Hilal, Fahad Bin Saad Bin Nafel, për ta sjellë Inzaghin në krye të projektit të tij ambicioz. Në muajin prill pati një kontakt të parë mes palëve, por gjithçka u ndërpre shpejt. Tani, me ofertën që po bëhet gjithnjë e më konkrete, presioni financiar i klubit saudit po rritet dhe mund të prodhojë një të papritur të madhe pas finales së Champions League. Për momentin, familja Inzaghi është në qëndrim refuzues, por gjithçka mbetet e hapur.
sfidanti.al