Olsi Rama rikthehet vedimmarrës te Partizani

Olsi Rama duket se është gati të rikthehet të marrë vendime te Partizani. Prej disa vitesh ai mban rolin e drejtorit të përgjithshëm të Partizanit, por, pavarësisht kësaj, në dy vitet e fundit ai ka qenë shumë i tërhequr dhe nuk ka marrë pjesë në vendimet e marra në klub gjatë gjithë kësaj kohe jo vetëm në merkato, por edhe në ardhjet dhe ikjet e trajnerëve, duke ua lënë përgjegjësitë drejtorëve sportivë të emëruar nga presidenti Demi.Të paktën, me sa është dalluar nga larg, drejtori ka pasur më së shumti një rol vrojtues, ka dhënë mendimin e tij mes drejtuesve të tjerë, por qëndrimi ka qenë i tillë për të mos ndërhyrë në përzgjedhjet e lojtarëve dhe çështje të tjera që lidheshin me vazhdimësinë e klubit. Rama gjatë gjithë kësaj periudhe është shfaqur më rrallë se zakonisht në klub, por e kemi parë që të mbledhë skuadrën për ta motivuar para ndonjë ndeshjeje të rëndësishme.

Merkatot e fundit në të cilat Rama ka marrë pjesë në përzgjedhje, kujtojmë të jenë ato të sezonit 2021-2022, kur u bë transferimi i lojtarëve si: Maget, Sembene, Rrapaj apo arritja e marrëveshjes për Matondon. Në janar mbërritën edhe emra si Hadroj apo Skuka, që u bënë të rëndësishëm më pas dhe Rama kishte rolin e tij në këto transferime. Ai sezon rezultoi jo i suksesshëm sa u përket rezultateve, çka ndoshta ndikoi edhe në një “tërheqje” të drejtorit në lidhje me merkaton, por duhet thënë se nisi një cikël të suksesshëm, që, përveç trofeve, solli edhe rekorde milionash në klub.

Ndoshta qasja e Ramës në klub vijon të jetë e njëjtë, por është fakt se me ardhjen e trajnerit Skënder Gega dhe drejtorit Sokol Haxhia, numri “2” i klubit po shfaqet disi më shpesh. Në derbin e fundit me Dinamon, për herë të parë pas një kohe të gjatë, ai u shfaq në pankinë gjatë ndeshjes, krah Haxhiajt dhe Gegës. Burime ekskluzive të “Panorama Sport” bëjnë me dije se drejtorët Rama dhe Haxhia në ditët e fundit kanë bërë një udhëtim drejt Italisë, ku qëllimi kryesor kanë qenë takimet me njerëz të futbollit italian për bashkëpunime të mundshme. Nuk pritet që Rama të udhëheqë merkaton, por ajo që nuhatet, është një prani më e madhe ne klub dhe përfshirje më konkrete në strategjinë e së ardhmes së Partizanit.

 

sfidanti.al