UEFA shqyrton ndryshimet në Champions

UEFA po shqyrton një sërë ndryshimesh të mundshme në rregulloren e Ligës së Kampionëve, me qëllim përshtatjen e kompeticionit me nevojat e reja të kalendarit ndërkombëtar dhe menaxhimin e ngarkesës fizike te lojtarët.

Një nga ndryshimet më të diskutuara është heqja e kohës shtesë në ndeshjet me eliminim direkt. Në rast të barazimit në fund të 90 minutave të rregullta, ndeshja do të kalonte menjëherë në gjuajtjet nga pika e penalltisë. Kjo lëvizje po konsiderohet si një mënyrë efektive për të reduktuar ngarkesën fizike dhe mendore te lojtarët, në një sezon ku numri i ndeshjeve pritet të rritet ndjeshëm për shkak të formatit të ri të kompeticionit.

Një tjetër propozim që është në tryezën e UEFA-s, sipas “Bild”, është ai për të siguruar një avantazh për 8 skuadrat e para të renditura në fazën grupore. Këto skuadra do të kishin të drejtën të luanin ndeshjen e kthimit të fazës me eliminim direkt në shtëpi, çka konsiderohet si një përfitim strategjik i rëndësishëm për ekipet më të konsoliduara.

Gjithashtu, po shqyrtohet edhe ndalimi i përballjes së skuadrave nga e njëjta federatë kombëtare deri në fazën çerekfinale. Ky rregull aktualisht aplikohet në disa faza të kompeticionit, por ndryshimet synojnë ta bëjnë më të qëndrueshëm dhe të parashikueshëm procesin e shortit në fazat e eliminimit direkt.

Megjithatë, çdo ndryshim i mundshëm në strukturën ose rregullat e Champions-it nuk pritet të hyjë në fuqi menjëherë. Kjo për shkak të kontratave ekzistuese për të drejtat televizive, të cilat janë të vlefshme deri në vitin 2027. Çdo ndryshim që bie ndesh me këto marrëveshje do të kërkojë kohë dhe konsulta të mëtejshme me partnerët komercialë dhe organizativë të UEFA-s.

sfidanti.al