Valentino Rossi dhe dhimbja për mungesën e botërorit të dhjetë

Kanë kaluar pothuajse dhjetë vite që nga ajo ngjarje, por disa plagë nuk mbyllen kurrë. Ato mbulohen me një fasho, por koha i hap sërish. Për Valentino Rossin, titulli i dhjetë kampion bote është pikërisht kjo: një plagë e hapur. Në vitin 2015, italiani ishte shumë pranë realizimit të ëndrrës së tij – të arrinte shifrën e rrumbullakët me dhjetë tituj. Por gjithçka ndryshoi në mënyrë dramatike në garën e Sepangut, ku një incident i diskutueshëm me Marc Márquez e la spanjollin në asfalt. Rossi u ndëshkua për këtë veprim dhe sanksioni u tërhoq deri në garën e fundit të sezonit në Valencia, duke i humbur atij shansin e artë për titull. Për ironi të fatit, ishte pikërisht shoku i tij i skuadrës te Yamaha dhe rivali i përjetshëm, Jorge Lorenzo, që përfitoi dhe u shpall kampion. Ishte ajo gara e fundit ku “Il Dottore” u afrua me të vërtetë te titulli, dhe pikërisht kjo e bën humbjen edhe më të dhimbshme. Që atëherë, lufta e ftohtë mes Rossit dhe Márquez nuk ka pushuar. Në Çmimin e Madh të Argjentinës, në vitin 2018, dy pilotët u përplasën sërish në pistë – këtë herë ishte Márquez ai që me një manovër të rrezikshme bëri që Rossi të rrëzohej. Gjestet dhe deklaratat mes tyre nuk munguan as atëherë, e as në vitet që pasuan. Marrëdhënia që dikur dukej si miqësi u thye përfundimisht.

Edhe pse Valentino Rossi është larguar nga MotoGP që në fund të vitit 2021, marrëdhënia me Márquezin mbetet e akullt. Në publik, ekziston një lloj formaliteti mes tyre, por në çdo intervistë, italiani nuk nguron të akuzojë rivalin e tij për “sabotim” në vitin 2015, madje e ka quajtur edhe si një pilot të rrezikshëm. Ndërkohë, Márquez ka zgjedhur të mos reagojë dhe të fokusohet vetëm në garat e radhës. Plaga e titullit të dhjetë vazhdon të dhemb – dhe për Rossin, ajo dhimbje nuk është shuar ende.

sfidanti.al