Lara Colturi braktis Shqipërinë

Ka disa lajme që nuk duam t’i dëgjojmë kurrë, por që i pranojmë me zemrën plot mirënjohje. Laura Colturi, vajza që për dy vite na bëri të ëndërrojmë mbi borën e bardhë, ka vendosur të ndërrojë fanellë dhe të rikthehet nën flamurin italian. Një zgjedhje personale, një kthesë në rrugëtimin e saj si sportiste, por për Shqipërinë, Laura do të mbetet përherë ajo kampionia që i dha skive kuqezi një zë në arenën botërore.

Ishte vetëm një adoleshente kur zgjodhi të përfaqësonte Shqipërinë, në një sport ku shqiptarët mezi përmendeshin. Me kurajën e një kampioneje të lindur, Laura nuk u tremb nga sfidat. Përkundrazi, u bë drita e parë që ndriçoi pistat ndërkombëtare me flamurin kuqezi mbi supe.

Ajo ngriti lart ngjyrat kuqezi në Kupën e Botës, në Botërorë, në çdo garë ku emri i Shqipërisë nuk ishte veç një pjesëmarrje, por një konkurrencë reale. Dhe çdo herë që ajo zbriste nga pista, në fytyrën e saj lexohej krenaria që përfaqësonte një vend të vogël, por me zemër të madhe.

Sot, ndërsa ajo zgjedh një rrugë të re, nuk mund të mos e falënderojmë. Faleminderit, Laura, që na bëre të besojmë se edhe Shqipëria mund të ketë ‘yje’ në borë. Faleminderit që e vendose flamurin tonë në podiume që dikur ishin të pamenduara për ne. Faleminderit për pasionin, për buzëqeshjen, për çdo sekondë gare që e bëre të ndjejmë krenari.

Zgjedhja jote nuk fshin asgjë nga ajo që ke ndërtuar me ne. Ti do të mbetesh gjithmonë një pjesë e historisë së sportit shqiptar. Një vajzë që e deshi Shqipërinë dhe që na dha mundësinë të ëndërrojmë më shumë.

Suksese, Laura. Bota është ende e madhe për t’u pushtuar dhe ti je ende ajo vajza që di si të fluturojë mbi dëborë.

sfidanti.al