Partizani arriti së fundmi të mposhtë Egnatian dhe të kalojë një provë gjenerale në luftën me Elbasanin për katër vendet e para. Nga ana tjetër, në Kupë kanë mposhtur po rrogozhinasit me shifra minimale dhe pas disa ditësh luajnë ndeshjen e kthimit. Të kuqtë janë ende në lojë tërësisht për të dyja kompeticionet dhe automatikisht edhe për qindra mijëra euro që vijnë nga shpërblimet nga FSHF-ja dhe UEFA. Në lojë janë afro 580 mijë euro, që ose do të humben, ose do të fitohen nga të kuqtë. Fillimisht ata do të luftojnë për Kupën, që në fakt do të ishte një bonus shumë i rëndësishëm, pasi përveç 50 mijë eurove shpërblim nga FSHF-ja, do të siguronin edhe të paktën 325 mijë euro nga kualifikimi në Europë. Sakaq, nëse renditet në katërshe, do të ketë një tjetër mënyrë për tu kualifikuar në Europë, por edhe për të synuar titullin.
Nëse fiton këtë të fundit, shifrat do të rriteshin ndjeshëm, pasi do të arkëtonte 100 mijë euro nga FSHF-ja dhe do të kishte dy raunde të sigurta në Europë (afro 700 mijë euro), si dhe 100 mijë euro që do t’i akordoheshin nga Bashkia e Tiranës. Nisur nga gjendja që Partizani ka aktualisht, të kuqtë kanë zgjedhur versionin “KÇK” (kap çfarë të kapësh), pasi edhe cilësia e skuadrës nuk bind shumë për maksimumin. Në rast moskualifikimi në Europë, ky sezon do të ishte një nga më të dështuarit në epokën e presidentit Demi. Zeka dhe Domgjoni, në garë me kohën Skuadra e Gegës pati probleme sa i përket dëmtimeve kundër Egnatias. Agim Zeka pësoi goditje dhe pati një dëmtim që në minutat e para të sfidës. Dje ka kryer ekzaminimet mjekësore për të parë shkallën e dëmtimit, që do të caktojë edhe nëse mund të jetë gati kundër Bylisit, apo jo. E ngjashme është edhe situata me Domgjonin, i cili pësoi një dëmtim muskulor. Nisur nga koha e shkurtër për rikuperim, vështirë se kjo dyshe do të jenë në dispozicion.