Laçi po kalon një nga momentet më të vështira të viteve të fundit. Pas humbjes ndaj Teutës, bardhezinjtë mbajnë vendin e fundit të renditjes dhe janë pranë rënies në Kategorinë e Parë.
Situata brenda klubit është përshkallëzuar ndjeshëm. Sipas një njoftimi zyrtar të shpërndarë nga vetë klubi, skuadra nuk ka zhvilluar asnjë seancë stërvitore që nga ndeshja e fundit. Gjendja është përshkruar si “e rënduar, si asnjëherë më parë”, ndërsa është zhvilluar një takim mes drejtuesve dhe stafit teknik ku debatet nuk kanë munguar.
“Që prej ndeshjes së fundit, ekipi i Laçit nuk po stërvitet. Situata në ekip është mjaft e rënduar, si asnjëherë më parë. Ditën e djeshme është zhvilluar një takim mes drejtuesve dhe stafit ku debatet nuk kanë munguar dhe është vendosur që sot në orën 18:00 të mbahet një tjetër takim me ekipin në ambientet e stadiumit ‘Laçi’, nga ku priten pezullime dhe ndëshkime të rënda. Takimi do mbahet me dyer të mbyllura”, thuhet në njoftim.
Kriza është e thellë dhe pritet me interes se çfarë masash do të merren për të ndryshuar fatin e sezonit, në një moment ku çdo pikë është jetike për mbijetesën.
sfidanti.al