Kthimi i Armando Brojës në fushën e lojës do të jetë një telash më shumë për Anglinë para përballjes që “tre luanët” kanë me Shqipërinë të premten, në ndeshjen e vlefshme për kualifikueset e Botërorit 2026. Për këtë është i bindur mbrojtësi irlandez i Evertonit, Xhejk O’Brajen. Pas përfundimit të ndeshjes ndaj Uest Hemit me shifrat 1-1, futbollisti i cili shënoi golin që barazoi rezultatin në fund, foli për impaktin që kishte pasur aktivizimi i Brojës në fund dhe paralajmëroi anglezët të ishin të kujdesshëm me të. “Mendoj se e patë çfarë futbollisti është Broja. I fortë, i shpejtë dhe me këmbë të mira gjithashtu. SI një mbrojtës, ai nuk është dikush që ti dëshiron të kesh përballë. Ai krijon raste dhe mund të jetë një bezdi. Ai është një lojtar shumë i mirë dhe ka ende shumë për të treguar. Ishte falë tij dhe Çermitit që morëm një rezultat në fund pasi ata ishin të shkëlqyer kur hynë në fushë. Ai do të bëhet një lojtar i rëndësishëm për Shqipërinë”, tha mbrojtësi i Evertonit.
sfidanti.al