Një talent dhe një mentalitet që e ka bërë të veçantë. Skitë alpine janë konsideruar thuajse gjithmonë çështje e brendshme e austriakëve dhe zviceranëve, ku hera-herës “fusnin hundët” disa nga Norvegjia, Italia, Gjermania apo Suedia. Gjithsesi, me dy yje si Mikaela Shifrin dhe Lindsi Von, Shtetet e Bashkuara të Amerikës mund të mburren se janë ato në çati të botës.
Shifrin thelloi rekordin e saj të fitoreve në Kupën e Botës, duke arritur shifrën jubilare 100! Kjo, vetëm pak muajve pas një dëmtimi të rëndë që thuajse I shkatërroi karrierën. Kampionia amerikane fitoi garën e saj të preferuar, sllallomin, në konkurrimin e Kupës së Botës në Sestriere të Italisë. Në podium edhe patriotja e saj, Molcan, dhe fenomeni nga Kroacia, Zrinka Ljutiç. Vajza 29-vjeçare e lindur në Kolorado ishte e predestinuar për këtë sport, si e bija e dy skiatorëve. Me 100 suksese, ka lënë vendin e dytë, Lindsi Von, plot 18 fitore prapa, ndërsa legjendat e dikurshme si Anemari Mozer-Prëll apo Vreni Shnajder janë shumë më poshtë.
Se ç’do të thotë emri Mikaela Shifrin e kuptojmë kur themi se vajza amerikane e nisi këtë sport profesionist në moshën 15-vjeçare, u bë më e reja medaliste e artë olimpike në slalom pa mbushur 19 vjeç, është dy herë kampione olimpike, pesë herë fituese e Kupës së Botës në ski alpine, katër herë kampione e botës në slalom dhe 18 herë fituese e Kupës së Botës në slalom. Ajo ka 15 medalje në kampionatet botërore, në 18 gara që ka zhvilluar gjithsej.
Fare mirë, mund të krahasohet me një Lebron Xhejms apo Mikael Shumaher, ndërsa mosha 29-vjeçare e lejon që të thellojë edhe më tepër rekordin e saj botëror. Shpresa është që edhe kampionia kuqezi, Lara Kolturi, t’i ngjajë këtij supertalenti e të nisë të fitojë sa më shpejt për Shqipërinë.
sfidanti.al