Ka mbetur vetëm një javë nga mbyllja e merkatos dimërore, dhe Marcus Rashford ende nuk e ka sqaruar të ardhmen e tij. Aktualisht, sulmuesi anglez është jashtë projektit teknik të Manchester United, me kërkesë të drejtpërdrejtë të Ruben Amorim, trajner që nga nëntori. Prej mesit të dhjetorit, Rashford nuk është thirrur më në skuadër: “Më mirë vendos Jorge Vital në pankinë sesa një lojtar që nuk jep maksimumin çdo ditë,” ishte mesazhi i qartë i trajnerit për mungesën e përkushtimit të lojtarit gjatë stërvitjeve. “Nëse kjo nuk ndryshon, unë nuk do të ndryshoj,” ka deklaruar portugezi. Barcelona duket një mundësi konkrete, si një “derë emergjence” për Rashford-in. Sipas asaj që raporton SPORT, sulmuesi i krahut të majtë, i lindur në vitin 1997, po vlerëson ende opsionet për t’u transferuar te ‘blaugranat’. Ai është i gatshëm të pranojë edhe një ulje të pagës për të lehtësuar transferimin në klubin katalanas, duke qenë i vetëdijshëm për urgjencat financiare të Barcelonës. Por klubi katalanas duhet më parë të krijojë hapësirë në bilanc për të konkretizuar blerjen e tij. Në këtë drejtim, largimet e Ansu Fati-t dhe Christensen-it do të ishin të dobishme, ndërkohë që Unai është tashmë drejt transferimit në Arabinë Saudite. Megjithatë, mbyllja e merkatos është afër dhe ditët e ardhshme do të jenë vendimtare për të ardhmen e sulmuesit. Duke ndërprerë lidhjen me Manchester United, klub ku u rrit dhe debutoi si profesionist duke arritur nivele të larta – edhe me kombëtaren angleze – Rashford mund të rigjejë formën dhe suksesin te Barcelona, nën drejtimin e një trajneri që e ka kërkuar hapur.
sfidanti.al