Arsenali dhe Manchester City po e marrin seriozisht ndjekjen e Sverre Nypan, mesfushor norvegjez i lindur në vitin 2006, i cili ka shpërthyer në vendlindje me fanellën e Rosenborgut. “Sverre Nypan është një talent jashtëzakonisht emocionues dhe kur e shikoj, përjetoj të njëjtat ndjesi që kam pasur kur pashë Martin Ødegaard të shpërthente si djalosh”. Ky është vlerësimi i Jesper Mathisen, një ekspert i madh i futbollit norvegjez, i dhënë për TV2 në gusht të vitit 2023, pasi kishte parë në aksion 16-vjeçarin e Rosenborgut në një ndeshje të kualifikimeve të Conference League kundër Hearts. Në të njëjtën moshë, Ødegaard kishte firmosur tashmë për Real Madridin pas paraqitjeve mbresëlënëse me Stromsgodset, por shumë mendojnë se ai transferim erdhi shumë herët për të. Ødegaard arriti të bëjë vetëm 11 paraqitje me ekipin e parë të Madridit gjatë gjashtë viteve dhe u huazua katër herë para se të transferohej në Arsenal në vitin 2021, ku më në fund filloi të shfaqte potencialin e tij të madh. Nypan mund të ndjekë një rrugë të ngjashme, pasi sipas raportimeve në Norvegji, në vitin 2022 për të interesoheshin Manchester United, Chelsea dhe PSG, ndërsa tani Arsenal dhe City janë shtuar në garë, të dyja të interesuara për të në këtë sesion të janarit.
sfidanti.al