Nuk duhet të presë deri në fund të sezonit për të mësuar të ardhmen e tij. Mario Mitaj pritet të bëhet një lojtar me te drejta të plota i Al Ittihad në Arabinë Saudite. Mbrojtësit të kombëtares kuqezi i kanë mjaftuar vetëm pak muaj për të bindur “sheikët” që të blejnë përfundimisht kartonin e tij nga Lokomotiva e Moskës. Mitaj u transferua në merkaton e verës në Ligën Profesioniste Saudite në formë huazimi për 3 milion euro, ndërsa klubet ranë dakord edhe për 5 milion euro të tjera për shitjen përfundimtare. Pikërisht këtë shifër, AL Itihad do ta paguajë që në janar, për të finalizuar blerjen e futbollistit kuqezi. Ky vendim është marrë duke parë paraqitjet e Mitajt në fushën e lojës. Ai u kthye menjëherë në një titullar të padiskutueshëm bashkë me yjet e futbollit si Benzema, Kante apo Fabinjo. Deri tani në sezonin e parë, 21-vjeçari ka shënuar 1 gol, ndërsa ka dhënë edhe 4 asist, duke ndihmuar Al Ittihad në garën për titullin kampion. Po ashtu, Mitaj është një nga lojtarët më të vlerësuar në këtë sezon, me një notë mesatare 7.3 për ndeshje.
sfidanti.al