Jordi Alba ka pasur momente të mëdha kur luante për Barcelonën, përfshirë edhe finalen e UEFA Champions League në vitin 2015 kundër Juventusit (3-1) në Berlin. Por vetë ai u sfidua të zgjedhë ndeshjen më të keqe të karrierës së tij, në një intervistë për Offsiders, dhe nuk ishte humbja 2-8 kundër Bayern-it në Lisbonë. Spanjolli zgjodhi ndeshjen e kthimit në gjysmëfinalen e vitit 2019, kundër Liverpool-it, në Anfield:
“Ishte një natë e tmerrshme, për mua ishte më keq se 2-8. Kalova shumë keq, sepse mendonim se ishim në rrugën e duhur. Edhe atëherë patëm shumë raste, por përfundoi kështu. Për mua, ajo ishte nata më e vështirë. Luajta keq, nuk do t’ju gënjej, por këto janë ndeshje që nuk i pret, që të shokojnë. Për më tepër, goli i parë erdhi nga një pasim prapa qër nuk shkoi mirë.”
Pas fitores 3-0 në Camp Nou, anglezët përmbysën gjithçka (0-4) dhe fituan turneun, ndërsa Alba ishte fajtor për një nga golat:
“Këto gjëra më kanë ndodhur shumë herë më parë dhe nuk kanë përfunduar me gol, nuk ka ndodhur asgjë. Më e keqja ishte se ndodhi pikërisht atë ditë. Nuk më pëlqen të fajësoj një ose dy lojtarë, është çështje që na përket të gjithëve, por atë natë nuk isha mirë, nuk kam asnjë problem ta pranoj. Është e qartë. Ishte nata më e vështirë për mua.”
35-vjeçari kujtoi se në pushim (kur rezultati ishte 0-1) po qante për shkak të golit të parë të Origi-t dhe shpjegoi:
“Isha duke qarë sepse nuk ndihesha mirë. Kam lexuar që po qaja… por ishte sepse nuk po ndihesha mirë.” Tani, Alba është transferuar në MLS, ku është ribashkuar me Lionel Messi-n dhe Sergio Busquets tek Inter Miami, një vendim për të cilin nuk pendohet: “Nuk po mendoja të largohesha, sepse kisha edhe një vit kontratë dhe një opsion tjetër. Gjëja më e lehtë për mua ishte të qëndroja te Barça. Ishte në fund që vendosa të bëja këtë hap dhe nuk pendohem, mendoj se bëra më të mirën. Në atë sezon të fundit, pamë atë Jordi-n që nuk luante shumë, por ndihmonte shokët.”
Në lidhje me formatin e MLS, Alba e kritikoi:
“Thyem rekordin e pikëve… dhe prapë u eliminuam në fazën e parë të ‘playoff’-it. Nuk ka kuptim, duhet të ishte një finale mes kampionëve të secilës Konferencë.” Së fundmi, ai mori pjesë në debatin për trajnerin më të mirë… Guardiola apo Luis Enrique, dhe nuk kishte dyshime:
“Nuk kam punuar me Guardiola-n, flitet shumë mirë për të, por për mua Luis Enrique është më i miri. Punon shumë mirë, është një person shumë i afërt. Ai shënoi një epokë në klub.”
sfidanti.al