Kategoria I, ndalen Besa dhe Vora

Apolonia ka dhuruar surprizën, pasi ka mposhtur në transfertë 2-0 Besën. Fierakët shënojnë dy gola në pjesën e dytë dhe marrin një trepikësh të çmuar përballë skuadrës kavajase. Zhgënjen Besa, që nuk arrin të përfitojë nga hapi fals i Vorës, dhe zbret në vendin e tretë në renditje (38 pikë), me një pikë më pak se Flamurtari i vendit të dytë. Në ndeshjen tjetër të ditës Kastrioti ka fituar 2-1 përballë Erzenit të vendit të fundit.

Vora flirtoi me fitoren në një fushë të vështirë, por nuk arrin të marrë më shumë se një pikë në transfertë përballë Pogradecit. Miqtë kaluan të parët në avantazh me Ruzgis, që shënon golin e 14-të sezonal në kampionat, por vendasit arrijnë që të barazojnë shifrat në fundin e takimit me Beckën. Goli u verifikua në VAR (pasi pretendohej pozicion jashtë lojë) dhe u akordua si i rregullt. Liqenorët kanë luajtur më mirë, sidomos në 60 minutat e para të takimit, por pa arritur që të finalizojnë rastet e krijuara. Mbyllet në barazim 1-1. Pavarësisht kësaj ndalese, Vora mbyll vitin 2024 në krye të Kategorisë së Parë, e vetme në kuotën e 41 pikëve.