Në autobiografinë e tij “Adriano, Meu Mado Maior”, ish-sulmuesi brazilian, i cili luajti për Parmën dhe Interin, zbulon momente të vështira nga karriera dhe jeta e tij personale. Ai ndan ngjarje të fshehta nga periudha si lojtar i Interit, mistere të zbuluara dhe sfidat emocionale që lidhen me një nga momentet më të dhimbshme të jetës së tij: humbjen e babait. Ky moment e tronditi thellë dhe solli pasoja të parikuperueshme. “Nuk kisha energji as për t’u ngritur nga shtrati e për të shkuar në stërvitje,” rrëfen 42-vjeçari. “E aq më pak për të bërë gjërat që duhet të bësh jashtë klubit: të hash, të flesh mirë, të pushosh. E vetmja gjë për të cilën mendoja ishte të pija dhe të shkoja në diskotekë.” “Jetova një rutinë që nuk më bënte të lumtur, siç mendonin shumë njerëz.
Njerëzit mendonin se isha një hajvan, një i paturp. Por për mua, pirja ishte mënyra e vetme për të mos menduar për asgjë. Rashë në një depresion të tmerrshëm, ishte vërtet e shëmtuar. Fatmirësisht, familja ime e kuptoi dhe qëndroi pranë meje. Nuk më pëlqen as ta kujtoj atë kohë,” pranon Adriano, i njohur si “Perandori” për performancat e tij në fushë. Për ta ndihmuar të dalë nga kriza personale dhe jeta e errët ku ishte zhytur, Interi përgatiti procedurat për ta shtruar në një klinikë në Zvicër, me qëllim që Adriano të mund të luftonte varësinë nga alkooli. “Mendoja se në çdo moment do të vinin infermierë për të më vendosur një këmishë të forcës. Doja të largohesha menjëherë. Në kokën time më vinin mendime të gabuara dhe u detyrova të largohesha nga Italia. San Paulo ishte shpëtimi im. Atje më ndihmoi një psikiatër më i mirë se ai që më caktoi Interi. Më pas rezultatet erdhën shpejt dhe, pasi bëra një pauzë nga alkooli, më erdhi sërish dëshira për të vrapuar në fushë, madje edhe për të bërë gjërat e mërzitshme,” përfundon Adriano.
sfidanti.al