Një lajm tronditës ka goditur Modenën dhe të gjithë futbollin emilian: në moshën vetëm 24-vjeçare, Alessandro Borghi, ish-lojtar i ekipit të të rinjve të “Kanarinave”, është ndarë nga jeta. Sportisti u shua të mërkurën, më 4 dhjetor, pas një sëmundjeje të gjatë që gjatë vitit të fundit e kishte detyruar të largohej nga fusha e futbollit. I lindur dhe rritur në Casinalbo, Alessandro bëri hapat e tij të parë në futboll me ekipin Audax Casinalbo, me të cilin ka mbetur gjithmonë i lidhur, para se të binte në sy të Modenës, ku kaloi pesë vite në sektorin e të rinjve, duke shfaqur gjithë talentin e tij. Që andej nisi një karrierë që e çoi fillimisht në botën e futbollit amator në Emilia, me përvoja te Castelvetro, Sanmichelese dhe Sammaurese; më pas, ai udhëtoi drejt Gjibraltarit, ku, duke ndjekur hapat e vëllait të tij, Borghi veshi për një vit fanellën e Glacis United. Në vitin 2022, Borghi u kthye në Itali për të luajtur me ekipin Modenese, por sëmundja e detyroi të ndërpriste pasionin e tij përpara epilogut tragjik. Klubi i Modenës shprehu dhimbjen e tij në një deklaratë zyrtare: “Presidenti Carlo Rivetti dhe i gjithë Modena FC vajtojnë humbjen e Alessandro Borghi, një 24-vjeçar nga Casinalbo me të kaluar në Sektorin e të Rinjtë e klubit tonë. Shoqata është pranë familjes së tij në këtë moment të dhimbjes së madhe”.
sfidanti.al